Articles

Blerina Goce: Mungesa e erotikës në letërsinë e shkruar shqiptare

… Tradita në poezinë dhe në prozën shqipe. Erotika në poezinë orale

Në Shqipëri nuk ka pasur kurrë një letërsi të mirëfilltë erotike, por vargje të kamufluara me erotizëm. Ne nuk kemi pasur kurrë një letërsi të mirëfilltë erotike, por vargje të kamufluara me erotizëm që nga Koliqi, Anton Pashku, Jeronin De Rada, Mitrush Kuteli etj. Është e vërtetë që letërsia shqipe ende nuk ka krijuar figura letrare të diskursit të dashurisë ose mite letrare si Helena, Beatriçja, apo Don Zhuani. Megjithatë, në letërsinë shqipe ekzistojnë figura letrare erotike që pretendojnë të bëhen mite të erotizmit.[1]

Letërsia shqipe nuk e ka trajtuar kurrë erotizmin mirëfilltazi, nuk e ka sjellë atë asnjëherë në formën e tij të plotë, përveç se përmes vargjeve.

Padyshim, erotika shqiptare, fundja si edhe çdo lirikë tjetër erotike, ka veçantitë dhe specifitetet e veta, që janë pasojë e rrethanave dhe kushteve në të cilat lindi dhe u zhvillua ajo. Pavarësisht se lirika erotike e traditës nuk mund të krenohet me dominim mbi llojet e tjera letrare, fakt është se ajo nuk i ka munguar letërsisë shqipe edhe përkundër mënyrës më të frenuar të shprehjes që, fundja, është në përputhje me normat morale që ekzistonin në një ambient patriarkal siç ishte ambienti shqiptar. Nuk është e vështirë të vërehet se edhe në periudhat historike që shtronin si  kërkesë seriozitetin e zgjidhjes së çështjes kombëtare, pavarësisht se, siç edhe mund  të pritet, ka dominuar lirika patriotike, lirika erotike, megjithatë, nuk ka munguar.

Në periudhën e romantizmit shqiptar, lirika patriotike dhe ajo erotike, sidomos në letërsinë e arbëreshëve të Italisë, shpesh paraqiten të gërshetuara edhe pse në raste të tilla theksi vihet në lirikën patriotike, meqë heronjtë e romantizmit arbëresh nisen nga motoja e njohur ‘për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë’. Si rrjedhojë, veprat e arbëreshëve kanë fund tragjik, meqë mbretëron bindja se njeriu nuk mund të gëzojë lumturinë personale në një kohë kur atdheu është në robëri[2]

Por, më shumë se sa në letërsinë e mirëfilltë, erotizmi është trajtuar në traditën orale dhe në poezitë e bejtexhinjve.

Fryri er’ e malit,/Ngriti shur prej lumi,/Mamudi të thirra,/Të nqova ngaj gjumi;/laj syt’ e zezë,/me shkumë sapuni,/Mamudi të thirra,/të nqova ngaj gjumi;/Pa më merr ombrellkën,/pa më dil ngaj lumi,/ Mamudi të thirra,/të nqova ngaj gjumi;/çorapet e verdha,/vijat gushëpëllumbi,/Mamudi të thirra,/ të nqova ngaj gjumi;/ t’u shkurtua fustani, të vajti ne gjuri,/Mamudi të thirra, të nqova ngaj gjumi/ [3].

Pra, edhe pse erotizmi në letërsinë shqiptare është diçka e kamufluar, e fshehur e gati e munguar ndër vite, kjo nuk do të thotë se e njëjta gjë është në gjithë shoqërinë e traditën shqiptare. Ky nuk është fenomen i botës shqiptare por i letërsisë shqiptare.

Xullufet e tua lulet e symbylit,/je vetë bukuria e kopshtit ku ke hyrë,/pra ka hak bylbyli të shikonjë me sy,/ta lerë trëndafilin, të këndonjë për ty./Të këndonjë për buzëtë të kuqe shafran,/të këndonjë për ballin që nuk zihet kurrë,/të këndonjë për vetullat të shkruar gajtan,/qepallat si shigjeta, sytë me nurë./ Të këndonjë për qafën, të këndonjë për supat,/për krahët e llërët, drite dhe ergjënd…[4]

Apo

Në ëndërr të gremisunë,/në ëndërr m’u shty një sevda:/Mahmudeja e stolisurë,/mjeri unë, po heq xhefa./Këjo sevdaja e insanity/gjallë njerinë ç’ë përvëlon;/Mahmudeja e Sulejmanit/me gazep sokakut shkon./Jelek kadife veshurë,/si mos njeri në këtë dhe,/me buzë duke qeshurë,/ç’të ka hije, moj Mahmude![5]

Ashtu siç thamë, poezia e bejtexhinjve dhe veçanërisht tradita gojore është e mbushur me erotizëm të pastër, ku i vetmi fanatizëm tek kjo e dyta, duket të jetë puritanizmi në promovimin e traditës.

Ditën e shtunë nga ana e dhëndrit shkonin tek nusja shumë gra. Midis këngëve dhe valleve të ndryshme, dilte nusja duke qarë. Atë e shoqëronin dy gra. Pasi e linin ta shikonin, nusen e futnin përsëri brenda. Pas kësaj ceremonie vinte çasti më i rëndësishëm. Dy gra dilnin në mes të oborrit, me legen, pambuk, ibrik dhe këna. Është çasti kur nusja do të lyejë gishtat me këna. Kur kënaja është bërë gati, nusen e sjellin përsëri dhe e vendosin pranë vendit ku përgatit kënaja. Ndërkohë, njëra nga gratë, i merr një gisht, të cilin nusja nuk do ta afrojë, dhe duke belbëzuar fjalë të ndryshme me humor ia lyen me këna. Pikërisht gjatë kësaj kohe këndohej kënga: Erdh kënaja me t’u vu/ ty moj bija, bija ime/ vene se t’ka hije/ ty moj bija, bija ime…/

Tek shtëpia e nuses, ata priten nga të afërmit e nuses dhe të ftuarit e shumtë që kanë ardhur të presin krushqit. Gjatë kësaj kohe këndohet kjo këngë: U shyqyr që sosi nusja/ Marshalla nuse që qeka/ Hyni nusja në shtëpi/ Shtati saj si selvi…/  etj.[6]

Nër mafes, mori nuse, nër mafes,

Sojt e larëm çerpëjkt e zes,

Sojt e larëm çerpëjkt me rrema,

Lum konaki si po t’shtij mrena![7]

Në këngët kur hyn dhëndri me nusen apo këngët që këndojnë motrat për dhëndrin, kur lyhet nusja me këna apo kur vajza dorëzohet nuse etj., erotizmi vjen i shfaqur në mënyrë të pranueshme, të mirëpranuar nga të gjithë, i pastër, i plotë edhe pse me puritanizmin që thamë në promovimin e traditës.

Nga këngët e dasmës, më të pasurat dhe më të prekshmet janë padyshim këngët e kënasë, të njohura dhe me emrin këngë të kanagjeqit. Këndohen kryesisht ndërsa kryhet rituali i lyerjes së flokëve si dhe i gishtave e i shuplakave të duarve me këna, të enjten e dasmës paradite, dhe vazhdojnë të këndohen gjatë tërë asaj dite e pjesërisht dhe të nesërmen.[8]

Prekja e tabusë këtu bëhet në mënyrë të natyrshme dhe nuk shihet ajo ngurtësi ndaj erotizmit që mund ta hasim në letërsinë e shkruar të traditës.

Ma njish brezin moll më moll,/O dhanër-o! (Refren)/Unë kërkoj vetëllholl,/Vetëllholl kimetlie;/Du dyshek pa ra jerie,/Ta bëjmë sefte un e ti.[9]

Me këngët e gjerdekut i përcjellin në mbrëmje dy të rinjtë në dhomën e tyre, duke u uruar fillimin e një jete të përbashkët plot lumturi. Shprehet në këto këngë dhe gëzimi i prindërve e i motrave të dhëndërit, si dhe kënaqësia e qiftit bashkëshortor pas njohjes së tyre të drejtpërdrejtë. Njëkohësisht, me intonacione alegoriko-humoristike jipen udhëzime apo bëhen dhe përshkrime gjer diku liçencioze dhe gaztore.[10]

(Vijon në Revistë)

[1] Sabri Hamiti, Konferenca e parë shkencore ndërkombëtare “Erotizmi në Letërsinë shqiptare” – nëntor 2011; gazeta “Mapo”, 21/11/2011

[2] “Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të shek. XX”; Mirlinda Krifca-Beqiri; Revista Albanologjike 1; Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve; Shkup 2009; f. 130 .

[3] Fryri er’ e malit, Këngë popullore dashurie, Instituti i Folklorit, Tiranë 1965, f. 49-50.

[4]Bandilli i djegurë – (fragment), Sulejman Naibi, Dh. S. Shuteriqi etj., Historia e letërsisë shqipe I-II, Prishtinë, 1975, f. .206.

[5] Po atje, f. 205.

[6]Studime Filologjike-1, Viti 1979, Hysen Filja, f. 120, Akademia e Shkencave e RPSSH- Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.

[7] Nër mafes mori nuse, 250 këngë popullore dasme, Instituti i Folklorit, Tiranë 1966, f. 10.

[8] Këngë dasme-1, Anton Çetta- Parathënie; Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1980, f. 12.

[9] Ma njish brezin moll më moll, 250 Këngë Popullore Dasme, Instituti i Folklorit, Tiranë 1966, f. 55.

[10] Këngë dasme-1, Anton Çetta- Parathënie; Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1980, f. 17.

 

2.7. Erotizmi satirik i Nolit

Nëse ka një aspekt të pashqyrtuar në krijimtarinë e Fan Nolit, ai është pikërisht erotizmi. Poezia e tij është gjykuar dhe analizuar së shumti në aspektin atdhetar, patriotik, demokratik, për tonin elegjiak apo detaje të tjera të ngjashme e që zbulojnë formimin dhe besimin e tij, formimin fetar e filozofik e kështu me rradhë, por pjesa më pak e prekur ka qenë pikërisht erosi.

Edhe pse erosi zë një vend të vogël në krijimtarinë poetike të Nolit mund të themi se ai është i pranishëm dhe zbulon së shumti për formimin e tij dhe është interesante të shqyrtohet, duke pasur parasysh edhe formimin si klerik të Nolit.

Poligloti dhe politikani, oratori dhe historian, studiuesi i muzikës dhe një ndër njohësit më të mirë të veprës së Bethovenit, themeluesi i kishës autoqefale shqiptare, burri i shtetit dhe prifti, përkthyesi dhe dramaturgu, kritiku letrar dhe studenti i përjetshëm, e para së gjithash poeti, F. S. Noli, përveç poezive patriotike dhe politike, përmes së cilave në mënyrë alegorike fshikullon realitetin politik shqiptar, shkroi edhe poezi erotike, pavarësisht se ata nuk hyjnë në mesin e krijimeve më të realizuara të studentit të Harvardit. Poeti dhe intelektuali shqiptar i ardhur nga një zonë e prapambetur, siç qe Ibrik Tepeja, njeriu që, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike me të cilat u ballafaqua, nuk e ndali vrullin për të studiuar dhe zgjeruar kulturën e tij, që është vërtet tepër e gjerë për një jetë njeriu; misionari, që në emër të dëshirës për dije dhe për të udhëhequr popullin e tij, ashtu siç e udhëhoqi heroi i tij i preferuar, Krishti, me të cilin ia kishte ënda të krahasohej, sikur u bind se nuk është krijuar për punë të rëndomta. Poeti nga Bostoni që shaminë e parë, si shenjë propozimi për martesë e pranoi në moshën 9 vjeçare nga bashkëfshatarja e tij Shasha dhe një vit më vonë edhe nga Parashkjeva 20-vjeçare, pas ndonjë përpjekjeje jo fort këmbëngulëse për martesë me Euthalian dhe Kasandrën, sikur definitivisht u bind se është i lindur për punë të mëdha, andaj vendosi ta mbyll këtë kapitull të jetës së tij, pothuajse pa e filluar fare. Por, edhe përkundër një fakti të tillë, Noli nuk mbeti indiferent ndaj temës erotike[1].

Është e veçantë se erotikja te Noli përshfaqet paralelisht me satirën dhe në poezinë e tij ai bën humor, duke zbuluar kështu edhe qëndrimet e veta liberale, përtej moralit të ngurtë të një fetari, të një fanatiku apo të një kohe e formimi konservativ.

Një gjë e tillë duket sidomos në vjershën Plak topall dhe ashikSofokliu dhe Lidhje e paçkëputur.

Dale, moj, se më kapite,/Më këpute, më sfilite,/ Prite, moj, ashikun, prite/ Që të vjen me not./ […]/ Po ti, Zot, më ngushëllove/ Pas një tjatre më lëshove,/ Dhe nga mbytja më shpëtove,/ Lavdi paç, o Zot./ Dale, moj, se kam një fjalë,/ Se më rrjedhin djersët valë; / Dale, moj, se jam i çalë/ Dhe më s’ecënj dot[2].

Duke folur për dëshirën trupore që nuk ecën paralelisht me fuqinë trupore, ai njëherazirrëfen realisht atë çfarë është biologjike e natyrale, pasionin e dëshirën erotike që me kohën nuk vdes, e njëherësh satirizon mbi këtë dëshirë të papërshtatshme të plakut topall dhe ashik.

Krijimtaria letrare, sipas Nolit dhe sidomos ajo pjesë e saj që quhet satirë, ka aftësinë t’i bëjë njerëzit të qeshin, por edhe të qajnë. Noli dinte të bënte humor edhe në llogari të vet dhe kjo gjë shihet jo vetëm në ndonjë poezi të tij si ‘Plak, topall dhe ashik’…[3]

Liberalizmi i Nolit, nëse shprehemi saktë dhe mund ta cilësojmë kështu përshfaqet edhe në dy poezitë e tjera, të cilat janë prej atyre poezive të pabotuara të këtij poeti të quajtur pa të drejtë okazional.

Nolin kritika e ka konsideruar poet okazional, por nëse do të merreshin në konsideratë edhe poezitë e pagjetura deri më sot, të cilat ai i ka shkruar, por që kurrë nuk janë publikuar, atëherë do të mund të thoshim që Noli është poeti i parë shqiptar që shkruan një sistem strikt monotematik. Libri i Nolit quhet Album, për ta arsyetuar larminë ideore e formale. Poezitë e këtij libri mezi ishin mbledhur nëpër gazeta e miq për t’u publikuar si një përmbledhje e poezive të shkapërderdhura. Ne e njohim Albumin, por nuk e njohim Ungjillin e Nolit, sistemin e tij[4].

Ky pohim shërben për të bërë të ditur se në fakt këto poezi të marra në shqyrtim të Nolit e që shpalosin erotikë, nuk janë thjesht një shkapërdredhje, por pasqyrojnë gjerësinë dhe larminë ideore dhe të formimit të tij.

Sofokliu nuk e kishte mirë:/ Plaku s’ka takat, po ka dëshirë,/ Gjalpë s’ka po ka një pus me hirrë,/Furrë dhe trazirë./Kam Ferid Asllanin si shahit,/ Tetëdhjet’ e pesë vjeç ashik:/ Amerika, Evropa u-çudit,/ Nuse desh kur vdiq!/ Flamurin që la e trashëgova,/Nat’ e ditë çupa, gra kërkova,/ Se ç’u batërdisa, se ç’u shova,/Se ç’u përvëlova./Kur të vdes, dhe kur të më mbuloni,/Çupa, gra, në varr mos më vajtoni./ Do t’ju dua prapë, siç më doni./ Dolla! Mos më zgjoni[5].

Për të ritheksuar, Noli dinte të bënte humor edhe në llogari të vet dhe kjo gjë shihet jo vetëm në ndonjë poezi të tij si ‘Plak, topall dhe ashik’. Kjo sjellje e tij tregon fare mirë sesa zemërgjerë ishte Noli si njeri e krijues dhe sa të lira e, madje, edhe liberale ishin pikëpamjet e tij për artin, fenë, moralin dhe shoqërinë në përgjithësi. Humori, përkatësisht shpirtorësia, ishte një dhunti e trashëguar nga familja e vendlindja, por edhe e kultivuar nga kontakti me kolosët e artit botëror si Shekspiri, Servantesi, Tolstoji, Bernard Shoi etj[6].

Por përveç poezive Sofokliu dhe Plak, ashik dhe topall, që i takojnë një faze më të hershme të krijimtarisë së tij, Noli i kthehet temës erotike edhe në fazën e fundit të krijimtarisë. Kësaj periudhe i takojnë edhe krijimet Saga e SermajesëLidhja e paçkëputur dhe Çepelitja.

Poezitë erotike të Nolit, pjesa më e madhe e të cilave, çuditërisht janë shkruar në pleqërinë e tij, karakterizohen me një ton të përgjithshëm humoristik, ndonjëherë edhe satirik.Pjesa më e madhe e këtyre poezive kanë një subjekt joshqiptar. Derisa ‘Saga e Sermajesë’ trajton temën e grabitjes së Sermajesë së bukur nga një kusar, poezia ‘Çepelitja’ shpreh njëfarë pakënaqësie për vitet e bukura të rinisë, që shkuan pa shijuar gjë, derisa ‘Lidhja e paçkëputur’ paraqet një lidhje bashkëshortore shumë të paqëlluar, që vazhdon të jetojë edhe pse gjithmonë e gatshme për t’u shkëputur[7].

Ti moj Ëngjëll moj Shejtane/ Moj Zambak e moj shafrane/ Ti më dehe të papirë/ Me tufan e me farmirë/Moj kurbatkë katarroshe/ […] / Ti më mbylle në budrumin/Ti më nxive në zullumin/Bashkë s’rrojmë dot/Ndahemi pra sot/ Nuk ujdis dot ti me mua/ Si për çift, për burr’ e grua/ […]/ Unë prush e ti dëborë/ Unë drras’ e ti këmborë/ […]/ Ndihmë, pra, për Zot/ Puthm’ e vramë sot/ Tani qan, u mallëngjeve/ More vesh që u gënjeve/ Tani zemrën ma gëzove/ Se e shoh që u pendove/ Tani dukesh si qëmoti/ Kur më kape siç tha Zoti/ Kokën time brigje-brigje/ Ti moj flag’e ëmbël, digje!/ Tok pra mbetemi/ Sa të tretemi[8].

Por më tepër se sa thjesht pasqyrimin e një marrëdhënieje të tillë bashkëshortore, në këtë poezi të Nolit digjet flaga erotike. Kjo vjershë është pasqyrim i atyre që mund t’i emërtojmë shpesh si kontradikta njerëzore, luhatje emocionale e të tjera, por që shpjegimin e tyre mund ta gjejnë vetëm përmes erotizmit dhe emocioneve të shkaktuara prej e përmes tij.

S’duhet të harrojmë se megjithë premtimet dhe shpresat e lumturisë së ardhme, pasioni është para së gjithash çrregullim dhe tronditje. Edhe vetë pasioni i lumtur nënkupton një çrregullim aq të dhunshëm saqë lumturia në fjalë, para se të gëzohet si lumturi, është aq e madhë sa bëhet e krahasueshme me të kundërtën e vet, me vuajtjen[9].

2.8. Himnizimi i jetës tokësore. Trupi dhe kënaqësia.

Edhe një djalë i ri në valë të moshës,/ kur fara e tij don të shpërthejë përjashta,/ shikon se i grumbullohen aty para/ do si fytyra e imazhe shumë të hieshme,/ fytyra me një ngjyrë që s’e ka shoqen;/ një i tillë vegim e çon krejt djalin peshë/ edhe ia ndez at’ pjesë të organizmit,/ e cila nga ajo farë aq vjen e fryhet/ sa që, nga se kujton se kreu dhe punë,/ I shpërthen fara jashta gulfa-gulfa/ dhe ndraget krejt ndër tesha që ka veshë[10].

Hedonizmi, një jetë dedikuar kënaqësisë është ajo çfarë shumica prej nesh mendojnë kur dëgjojmë emrin e Epikurit, porse në fakt Epikuri dhe filozofia e tij e kënaqësisë kanë qenë kontroversiala për më shumë se 2000 vjet. Një arsye është tendenca jonë për të refuzuar kënaqësinë si e mirë morale.

Por ajo për të cilën jemi dakord është se Lukreci përfaqëson poetin dhe filozofin e himnizimit të jetës tokësore[11].

Kjo farë, për t’cilën folëm ma përpara,/ zgjohet ndër ne at-herë kur mosha e re/ fillon t’i përforcojë organet tona./… /Kjo farë, posa del jashta atyne pjesve/ të trupit ku qëndronte ma përpara,/ përshkon gjymtyrë e organe e, si tërhqiet/ prej organizmit mbarë, shkon edhe mblidhet/ ndër disa anë nervore t’trupit tonë/ dhe n’çast i ngacmon pjesët gjenitale./ Dhe këto pjesë, n’ngacmim, mbushen me farë/ e at-herë vjen një dëshirë për t’i flakrue/ n’objekt, ku jep e merr një neps i zjarrtë,/ se zemra ka si piksynim at trup/ për t’cilin e ka zanë meraku i fortë,/ dhe anmiku, n’qe se ndodhet bri me ne,/ dhe ai spërkatet plot me pika gjaku./ Të njajtin fat pëson dhe ai njeri/ të cilin e plagos hyjnesha “Venus”/ me anë t’nji djali t’hieshëm e tërheqës/ ose me anë t’një femne që lëshon/ nga syt e vet një afsh plot dashuni,/ dhe ai njeri, mbasi prej saj plagoset,/ te ajo synon e digjet ta pushtojë/ edhe t’i hjedhë në trup të gjithë at’lang/ që ka në trup të vet, pse e ndien përpara/ andjen që ja shkakton ai neps i heshtun[12].

Poeti dhe filozofi roman Lukreci (Titus Lucretius Carus 99 p.k – 55 p.k) përpiqet të jetëshpjegues në detaje i trupit njerëzor dhe kënaqësisë së tij.

Poema e tij ‘De rerum natura’ transmeton idetë e Epikuranizmit, të cilat përfshijnë Atomizmin dhe psikologjinë. Lukreci ishte shkrimtari i parë që prezantoi lexuesit romanë me filozofinë epikuriane[13]. (…)

More in: Revista Haemus

[1]Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të shek. XX, Mirlinda Krifca-Beqiri, f. 140.

[2] Plak topall dhe ashik, Fan S. Noli.

[3] Fushata kundër Nolit, akuzat e pavend të Sabri Hamitit, Agim Vinca, Rilindasi, 10.06.2012.

[4] Ungjilli sipas Nolit, Ag Apolloni, Shtator 2011, Gazeta Shqiptare.

[5] Sofokliu, Fan S. Noli.

[6] Fushata kundër Nolit, akuzat e pavend të Sabri Hamitit, Agim Vinca, Rilindasi, 10.06.2012.

[7]Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të shek. XX, M.K.Beqiri, f. 141.

[8] Lidhje e paçkëputur, Fan S. Noli.

[9] Erotizmi, Georges Bataille, f. 19.

[10]Mbi natjerën – poemë, Lukreci, N.SH. Botimeve Naim Frashëri, Tiranë 1961, Klasikët, Titulli i orgjinalit Lukrece: De Rerum Natura; Përkthyer prej origjinalit nga Henrik Lacaj, f. 56.

[11] Shih: Monica R. Gale, Myth and Poetry in Lucretius (Cambridge University Press, 1994, 1996 reprint), f. 213, 223-224 online and Lucretius (Oxford University Press, 2007), f. 238 online. (vep.cituar).

[12]Mbi natjerën – Poemë, f. 57,58.

[13] Gale (2007), f. 35. (vep.cituar).

Email ThisBlogThis!Share to TwitterShare to FacebookShare to Pinterest

Etichete: AlbanianArticole științificeArtikuj shkencorëBlerina GoceLupa e Hulumtuesit / Lupa CercetătoruluiRevista Haemus Nr. 51-53 / 2015

 

 

 

Advertisements